Të paktë, për të mos thënë se s'ka njeri, që këto ditë nuk e ka dëgjuar këngën e Mamicës, qoftë një herë të vetme. Do apo s'do (edhe sikur të mbash televizorin tënd fikur gjithë ditën) do ta dëgjosh në rrugë (kur pranë teje kalon një makinë luksoze), e dëgjon në autobus (nëse shoferi ka ndezur radion, apo ndonjë çun i ri e ka bërë zile celulari), në plazhe publike (kur nga një çadër 30 metra larg tëndes, veshi të kap tingujt e Mamicës) muzika mund të të vijë edhe nga një lokal, teksa kalon aty pranë. Sepse këtu gjithkush kudo dhe kurdo, mund të dëgjojë muzikë me zë të lartë, pa iu prishur terezia dhe pa pyetur nëse prishet qetësia publike.
Nejse kjo është një temë tjetër, të cilën për momentin dua ta lë mënjanë. Nuk do t'i hyj as diskutimit të kritikëve, nëse kënga e kënduar nga Klajdi Haruni në Top fest 9 është vulgare, ka apo s'ka vlera artistike; Apo është një këngë gazmore, pa qëllim ironizimin e femrës, siç shprehet këngëtari i ri. Do trajtoj atë që është e prekshme; Impakti tek fëmijët tanë, tek "librat e pashkruar", ku ne çdo ditë "shkruajmë" ç'të duam e si të duam, tek sjellja që kanë ndaj kësaj kënge.
ZËNKA NË KLASË
"Mamica…" dhe refreni i këngës (Hop hop ti Mamica/ më çmend me ato cica/ i gjithë qyteti i pelqen/ Hop hop ti Mamica/ sa shumë te tunden cicat/ dukesh yll ti kur kercen) u bë shkak i zënkës në klasën e djalit tim, 9 vjeçar. Çunat e klasës së tretë kishin kënduar me zë të lehtë refrenin në orën e pushimit. Vajzat (shoqet) ishin turpëruar dhe në fund mësuesja kishte sheshuar "tensionet" duke iu tërhequr vëmendjen çunave (përkufizimi i fëmijëve është "mësuesja na bërtiti").
Duke mbrojtur tezën se s'kishte bërë asgjë të keqe për të marrë të bërtiturën, veçse kishte kënduar një këngë, të cilën e dëgjon kudo, djali më bën një pyetje: O ma pse njerëzit duhen të ndihen keq dhe të turpëruar nëse përmendim emrin e një pjese të trupit. A nuk është cica, siç janë syri e dora? Atëherë? Pse mësuesja duhet të na bërtasë për një këngë që këndohet kudo?
U mundova t'i shpjegoja se në disa momente fjalët qoftë dhe ato që përkufizojnë një pjesë trupi në rrethana dhe në kontekste të caktuara marrin një ngjyrim tjetër, tallës ose fyes.. prandaj duhet të kemi kujdes kur i përdorim. Kur jemi në shkollë jemi në një institucion dhe duhet të respektojmë rregullat.
MESUESJA: FEMIJET SI PAPAGALLI
Temën e diskutova me një mësuese filloreje. Selvie Mihaj mban mbi supe më shumë se 20 vjet mësimdhënie dhe sot është në pension.
E përballur me qindra situata të tilla, edhe më komplekse, mësuesja qeshte dhe me qetësi përpiqej të më jepte argumentet, se sidomos fëmijët e vegjël, të paktën deri në 9 vjeç (kjo varet gjithmonë dhe nga zhvillimi individual i fëmijës), nuk i dinë djallëzitë e të rriturve.
"Edhe nipçja im 4 vjeç e pëlqen atë këngë. Madje e këndon. Kur e pyes se çfarë janë "cicat" ai më thotë janë cicat e mamit ku unë kam pirë qumësht. Fëmijën e vogël e tërheq muzika me ritëm, rima e fjalëve, mamica- cica, ndryshe nga një i ri, apo ne të rriturit, të cilët e konceptojmë si joshje seksuale apo provokim dhe për këtë ndihemi të turpëruar dhe në raste e kontekste të caktura, e përdorim dhe si fyerje.
PSIKOLOGIA: TURPI?
Një psikologe (më kërkon të mos ia përmend emrin) më shpjegon se çfarë ndodh në këtë moshë. "Në moshën 9 vjeçare fëmijët në mënyrë instiktive, pa iu thënë njeri, arrijnë të bëjnë vetë dallimin mes të qënurit djalë dhe vajzë. Për të shkuar më pas në moshën 10 vjeçare, kur nis dhe zhvillimi i vrullshëm seksual, periudha e pubertetit. Vajzat në këtë moshë, (edhe pse piqen më shpejt se djemtë), ende nuk kanë konceptin seksual të gjoksit, por gjithsesi arrijnë të përjetojnë ndjenjën e turpit, dhe të kuptojnë se gjoksi është pjesë e tyre intime, një nga organet që i dallon nga djemtë. Psikologia disa herë më përsërit se tema të tilla nuk duhen trajtuar në mënyrë të përgjithësuar dhe se çdo rast duhet trajtuar individualisht duke pasur parasysh zhvillimin e çdo fëmije, rrethanat sociale dhe ekonomike, ku e si rritet, dhe më tregon anën tjetër të medaljes.
KUR MAMICA VULGARIZOHET
Në një nga rrugicat e Tiranës, dy tre çuna të po kësaj moshe 9-10-11 vjeçare, po ndiqnin një vajzë të re. Fëmijët i shkonin nga pas duke i kënduar me të madhe refrenin "O Mamica sa m'i ke cicat". Vajza e zënë ngushtë vraponte për t'iu larguar situatës tepër të sikletshme.
Pediatra Lira Gjika më tregoi se në këtë rast, ky organ kaq jetësor, pasi i jep jetë fëmijës së sapolindur, është banalizuar duke u emërtuar me "zhargonin të rrugës". Fëmijës duhet t'i vëmë në dukje se është pikërisht gjuha e të folurit, fjala që na bën të jemi të socializuar në një shoqëri të caktuar. Nëse ne do përdorim emërtime të tilla, zhargonin e rrugës, dhe fjalë të tjera fyese, atëherë do të jemi të shkëputur nga shoqëria, si të padëshiruar. (ne foto Klajdi Haruni duke kenduar kengen "Mamica" ne skenën Top Fest)
FJALA GËZON E LËNDON
Kur kënga u publikua në Top-Channel, fjala "cica" u censurua, duke u lënë të nënkuptohet nga vetë gjestet e këngëtarëve, ndërsa në youtube kënga është publikuar pa censurë. Që më 7 prill, kënga e kompozuar nga Flori Mumajesi dhe e kënduar në top-fest ka mbi 1 milionë klikime, dhe nuk mund ta besoj se mes këtyre klikimeve, nuk janë ato të fëmijëve. Ç'ka do të thotë se ne prindërve na mbetet detyrë t'iu kushtojmë më shumë vëmendje dhe t'iu mësojmë fëmijëve tanë se jo gjithça dëgjohet, dhe jo gjithçka çfarë dëgjohet mund të thuhet, kudo dhe kurdo. Për më tepër fjala sa gëzon ashtu lëndon.
Shqiptarja.com