credins
Data sot është 26-05-2013, ora 08:35

Author Bios

Blogs by this author:

  • Nën vështrimin e ngrysur të Jozefina Topallit, kreu i bashkisë së kryeqytetit, Lulzim Basha, mori të gjitha ovacionet e platesë pesë ditë më parë, kur Partia Demokratike nisi zyrtarisht fushatën elektorale në Tiranë. Përtej rivalitetit të brendshëm me Kryetaren e Kuvendit, fjala dhe pozicioni i Bashës në atë eveniment, nuk do të kishte rënë edhe aq shumë në sy, nëse ai nuk do të kishte hedhur një tezë, e cila të ngjall disa ndjesi të përziera, mes bezdisë, dëshpërimit dhe pse jo, edhe humorit.

    Duke komentuar figurën e paraardhësit të tij në bashki, kreut të opozitës Edi Rama, Basha aludoi se ai nuk ishte thjesht një kundërshtar për demokratët, por diçka më tepër. Termin e sugjeroi vetë zoti Basha, kur tha se “…çfarë është dikush që i mohon vendit integrimin? Ky njeri nuk është dhe nuk mund të jetë miku i Tiranës dhe Shqipërisë”.

    Që politika shqiptare ka qenë dhe vijon ende të mbetet për inerci, një pyll i mbushur me armiq, kjo është jashtë dyshimit. Agresiviteti i jetës sonë politike, mungesa totale e dialogut dhe bashkëpunimit, krizat e ashpra të përsëritura, shpesh me tone e motive të luftës personale, janë dëshmia se përfaqësuesit tanë politikë e kanë trajtuar njëri-tjetrin jo si kundërshtarë, por si armiq. Skenat e dikurshme me pushtime institucionesh apo edhe më vonë, me vrasjen e protestuesve në dyert e qeverisë, pasqyrojnë në fakt kodin e armiqësisë, si të vetmen ligjësi që ka vlerë dhe peshë në skenën tonë politike pas vitit 1990.

    Por që këtë trashëgimi të rëndë dhe me shumë pasoja për këtë vend, ta marrë përsipër një politikan i ri, kjo është një rrethanë sa dëshpëruese, aq edhe jonormale për një vend që konsumon çdo ditë tonelata retorikë demokratike dhe europianiste. Duke përcaktuar si armik Edi Ramën, Lulzim Basha ka vendosur me dorën e tij një standard komunikimi mes vetes dhe opozitës, që është i gabuar dhe pa të ardhme. Kjo, për disa arsye.

    Lulzim Basha mund të kishte qenë armik i të paktën gjysmës së shqiptarëve, më 21 janar 2011, kur Forcat e Armatosura të drejtuara prej tij, vranë katër manifestues të paarmatosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Jo vetëm familjet e katër të vrarëve, por një masë e madhe votuesish të opozitës (dhe me shumë gjasë, edhe shqiptarësh të painteresuar për politikën), e kanë të vështirë ta shpjegojnë edhe sot, sesi një zyrtari që mban një përgjegjësi të tillë institucionale e politike, të mos i hyjë asnjë gjemb në këmbë, por përkundrazi, të shpërblehet vetëm pesë muaj më vonë me një post të marrë. E megjithatë Luli nuk është armik. Ai është në rol.

    Lulzim Basha mund të kishte qenë një armik gjithashtu, i parasë publike, kur, nga pozita e ministrit të Transportit, u vu nën hetim zyrtar nga Prokuroria e Përgjithshme për fondet e Rrugës së Kombit. Organi i akuzës kërkoi edhe gjykimin e ministrit Basha, i cili në atë moment u fsheh pas axhendës diplomatike (si ministër i Jashtëm kësaj radhe), për t’iu shmangur procesit.

    Së treti, Lulzim Basha mund të kishte qenë gjithashtu edhe një armik i interesave kombëtare, sikur marrëveshja detare që nënshkroi me kolegen greke Dora Bakojanis në Tiranë, të mos ishte hedhur poshtë në minutën e fundit nga Gjykata Kushtetuese.

    Megjithatë as Lulzim Basha (ashtu si edhe Edi Rama) nuk është një armik. As i opozitës, as i shqiptarëve. Shumë-shumë Basha mund të jetë armik për Jozefina Topallin, për aq sa kjo mund të ketë rëndësi. Basha është thjesht politikani i radhës, që është ulur përballë të zotit, që e kopjon atë fjalë për fjalë e nuk ia ndan sytë, derisa këtij të fundit t’i lindë në zemër që t’i lirojë një ditë vendin. Deklarata e tij për Ramën ishte një rënie e dukshme stili, por qe në vetvete e parrezikshme. Sepse ka shumë kohë që, për të marrë seriozisht zotin Basha, duhet të kesh një dozë të pazakontë fantazie dhe vullneti.

    Lulzim Basha nuk është armik i askujt. Ai është vetëm një ndër skifterët e rinj të politikës, që ndjekin zejen e pamëshirshme të pushtetit, duke u bërë pis “për shkak të detyrës”.

    Por një efekt negativ e ka megjithatë edhe deklarata e kryebashkiakut të Tiranës për paraardhësin e tij. Lulzim Basha nuk kishte nevojë për fjalimin me armiq, për të na konfirmuar edhe një herë se as mosha e re dhe as shkollimi jashtë vendit nuk janë të mjaftueshme për një politikan shqiptar, për të dalë jashtë parafabrikatit të lidershipit të tranzicionit, që vijon të mbetet i vetmi standard, për ata që i hyjnë karrierës politike. Teksa kujton militantizmin e dikurshëm të këtij djali të ri të parashutuar në politikë në vitin 2005, nuk ka sesi të mos dëshpërohesh për produktin e deformuar që vijon të prodhojë konvejeri i politikës shqiptare.

    Lulzim Basha është një përfaqësues i spikatur i një brezi të tërë politikanësh të rinj, po aq demagogë e hipokritë, sa edhe etërit e politikës shqiptare të njëzet viteve të fundit. Kjo rrethanë, e cila forcohet edhe më tej nga deklarata si ajo e mësipërmja, është aspekti i vërtetë negativ i një agresiviteti të një politikani të ri si Basha. Sepse nuk ka asnjë arsye, asnjë motiv, që pas njëzet vjetëve rraskapitës të tranzicionit, gjenerata e re e atyre që do të marrin në dorë punët e këtij vendi, të mos na premtojnë asgjë më të mirë, sesa vijimësinë e kulturës së urrejtjes ndaj kundërshtarit.

    /SHQIP/

  • Vetëm disa sekonda pas mesnatës së 6 majit, kur përfundonte afati i dorëzimit të listave të kandidatëve për zgjedhjet e 23 qershorit, kamerat fiksuan një Njazi Kosovrasti që kapërcente me hap prej balerine derën e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, duke u përpjekur të fshihte sa mundej çantën që mbante në dorë, që dukej qartë se s’kishte asgjë brenda. Të paktën jo dosjet voluminoze të kandidatëve. Edhe përgjigjet e Kosovrastit pas daljes nga KQZ ishin ato të një njeriu të zënë në faj. Përpiqej t’i shmangej pyetjeve dhe ulte sytë përdhe. 

    Në orët që pasuan, zërat se PD kishte shkelur hapur afatin kohor të paraqitjes së listave, u bënë gjithnjë e më të forta. Nuk dihet nëse dikur kjo histori do të zbardhet e tëra, nuk dihet as nëse do të ketë ndonjë pasojë për këtë shkelje të rëndë të procedurës elektorale. Ajo që dihet deri tani është se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vijon të vegjetojë në një krizë të thellë përfaqësimi. Pas zëvendësimit brutal të komisionerit Muho, në 15 prillin e shkuar, që u pasua me dorëheqjet e të komisionerëve të opozitës, institucioni që menaxhon zgjedhjet në Shqipëri vazhdon punën tërësisht i shbalancuar.

    Maxhoranca deklaron se pret nismën e opozitës për të dërguar në Parlament kandidaturat zëvendësuese të anëtarëve të dorëhequr, duke e marrë të mirëqeënë dhe të pakthyeshëm zëvendësimin e Muhos, ndërkohë që opozita kërkon një negociatë të re për KQZ, që do të çonte në një riformatim të pjesshëm ose edhe tërësor të tij. Kjo mospërputhje ka sjellë kolapsin e rradhës, ndërsa data e zgjedhjeve afrohet me shpejtësi.

    Prej kësaj situate të re sfiduese dhe të rrezikshme, duket se dalin disa konkluzione. Së pari, një KQZ e cila nuk ka në përbërjen e saj asnjë anëtar të propozuar nga partitë e opozitës, është parimisht e paragjykuar dhe e pabesueshme. Edhe episodi i mësipërm i Kosovrastit i faturohet pa asnjë mëdyshje formatit “njëngjyrësh” në të cilin operon tani Komisioni i drejtuar nga kryetarja Lleshi.

    Së dyti, një KQZ e paragjykuar është njëkohësisht paradhoma e një procesi të paragjykuar zgjedhor. Maxhoranca duket se është e vendosur të mos lëvizë nga pozicioni i saj. Duke marrë kësisoj mbi vete të gjithë përgjegjësinë e imagjinueshme për mbarëvajtjen (ose jo) të zgjedhjeve të 23 qershorit. Ndarja e procesit sipas një shkalle të caktuar përfaqësimi, formatimi i KQZ sipas një formule që në bazë ka vullnetin partiak, kishte dhe ka për synim ndarjen e përgjegjësisë të shumta e delikate që lidhen me procesin e organizimit të zgjedhjeve, në të gjitha fazat e tij. Duke vijuar punën me katër anëtarët e mbetur, qeveria po merr mbi shpinë çdo krizë eventuale që mund të prodhohet gjatë rrugës drejt 23 qershorit e përtej tij. 

    Së fundi, por që lidhet me pikën e mësipërme, ndoshta qeveria po kërkon që të mbajë në këmbë me zor një KQZ të deformuar, për të krijuar me dashje dhe vullnet, një imazh të keq për zgjedhjet. Numrat tregojnë se rotacioni i pushtetit është një mundësi mjaft reale në 23 qershor. Në këto kushte, një prishje e procesit mund të jetë rruga e vetme për të mos pasur një fitues të zgjedhjeve. Dhe çfarë më mirë sesa një KQZ e ç’ekuilibruar, mund ta arrijë këtë?! - JAVA

  • Një goditje “poshtë brezit”. Në fakt, e disata goditje e tillë në dekadën e fundit. Ja si do ta cilësonte një komentator boksi obsesionin e qeverisë aktuale, për të sulmuar në mënyrë të përsëritur dhe publike, “Top Channel”, televizionin më të madh në vend. Nuk do shumë mund për të kuptuar se një shumicë dhe një parti politike në majën e saj, që dështuan për mbi njëzet vjet, për të zgjidhur hallet dhe të drejtat e pronarëve të vjetër, nuk mund të kompensojë sot sadopak imazhin e saj të mjerë, duke bërë sikur po zgjidh një çështje të zakonshme pronësie, duke shpërfillur hapur aktet kontraktuale që ka me një media dhe duke i treguar asaj, në mënyrë arbitrare, derën me gisht.

    Përballja e “Top Channel” me shtetin nuk fillon sot. As nuk do të mbarojë sot me sa duket. Por ajo është në momentin aktual, edhe më e rëndë sesa në të shkuarën. E kotë të evokosh këtu dhjetëra rastet kur marrëdhëniet mes këtij grupi mediatik dhe shtetit tetëvjeçar, kanë qenë në zgrip. E shkuara edhe harrohet, por me kusht që të mos përsëritet. Dhe ky është një ndër ato raste kur e shkuara sillet e vërtitet, duke ardhur sërish në pikën e nisjes. Sa e sa herë qeveria e Sali Berishës e ka parë veten nën kritika të forta nga Bashkimi Europian dhe organizmat qendrore të mbrojtjes së gazetarëve në Europë dhe SHBA, për dhunën ndaj “Top Channel”. Në sa e sa raporte figuron qeveria e sotme, si shkelëse e lirisë së shprehjes, kryesisht prej këtij konflikti që ka nisur qysh ditën kur kjo mazhorancë u instalua në pushtet, në vitin 2005!

    E megjithatë, e sotmja rëndon më shumë se e djeshmja. Sepse nëse deri dje ishim jashtë të gjitha listave, nëse ishim një shtet kuazi-demokratik, me një qeverisje arkaike e autoritare (“regjim gangster” na quante një gazetë e madhe britanike vite më parë), sot jemi anëtarë të NATO-s, si dhe “vetëm tri ligje larg” statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. A ka ironi më të madhe, sesa t’i vendosësh këto koordinata institucionale e politike, përballë realitetit aktual, ku shteti godet me gur nga mëngjesi në darkë derën e medias më të fuqishme të vendit?!

    Sherri aktual i shtetit me “Top Channel” po ndodh në prag të një fushate elektorale. Është si të thuash, një zile paralajmërimi, për t’u “sjellë mirë”. Berisha e di se nuk do t’ia arrijë ta modifikojë linjën e një medie, që suksesin e ka arritur kryesisht duke qenë e athët me qeveritë dhe mazhorancat. E di edhe se për këtë gjest, do të marrë një kosto të caktuar nga perëndimorët, të cilët nëse për kauzat e opozitave politike janë përgjithësisht apatikë dhe jo entuziastë, për kauzat e lirisë së medias zgjohen dhe bëhen veçanërisht aktivë. E megjithatë, Kryeministri i kthehet dhe i rikthehet refleksit të vjetër. Atij refleksi që dikur, në vitet ‘90, shkaktonte drama edhe më të rënda për shtypin e shkruar të kohës. Rekordet i dinë të gjithë, si ata që e kritikojnë qeverinë, ashtu edhe ata që i bëjnë fresk.

    Modeli i medias që ka triumfuar sot si “politikisht korrekt” dhe i pranueshëm për qeverinë “e një vendi anëtar të NATO-s”, është ai i radiotelevizionit shtetëror. Një antenë sharjesh dhe propagande banale 24-orëshe, kundër opozitës politike. Ky standard i medias publike që kemi sot dhe që e paguajmë financiarisht të gjithë, të djathtë e të majtë, përbën indeksin e vërtetë të lirisë së medias në këtë vend, 23 vjet pas rënies së komunizmit. Degradimi dhe regresi që televizioni shtetëror ka bërë në këto dekada, shpjegon tërthorazi edhe presionin e dhunën që ushtrohet sot mbi “Top Channel”. Sepse kjo kulturë mediatike “zyrtare”, ky koncept që shteti ka për profesionin fisnik të lajmësit, pasqyron deformimin e vjetër botëkuptimor të Berishës dhe ndihmësve të tij për median, që daton qysh prej kohës kur gazetat shtypeshin në teknologji plumbi dhe kur Shqipëria kishte vetëm një televizion. Atë televizion që në vjeshtën e largët të vitit 1996 lajmëronte plot hare “e morëm dhe Skraparin”!

    Shteti nuk do ta fitojë dot betejën me median. Nuk e fitoi dot dikur duke i vënë zjarrin, nuk do ta fitojë dot as sot, duke e nxjerrë jashtë. Sepse beteja me një media është një betejë e humbur qysh në nisje. Kjo aksiomë tashmë nuk ka më nevojë për asnjë verifikim të mëtejshëm. Përvoja e shkurtër dhe modeste e Shqipërisë postkomuniste ka treguar se dhuna e shtetit vetëm sa e ka ndotur imazhin e vetë shtetit dhe ka prekur standardin e demokracisë së një vendi. / SHQIP

  • Prej javësh, edhe atëhere kur nga podiumi i PD nuk flet njeri, zyrtarët më të lartë të Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk harrojnë të pickojnë Ramën dhe deputetët e tij, në lidhje me tre ligjet e pamiratuara ende nga Kuvendi. Jo vetëm aq. Çdo deklaratë apo nismë të kryeministrit dhe partisë së tij, merr brenda pak orësh mbështetjen e partnerit të vogël Meta. Kështu ndodhi për shembull me propozimin hileqar dhe të parealizueshëm të votës së 16 vjeçarëve, por edhe për nisma të tjera që janë përshëndetur rregullisht “nga jashtë” prej kësaj partie. Paralelisht me këtë suport të vazhdueshëm, përfaqësues të LSI nuk humbin asnjë rast pa nënvizuar se aleanca qeverisëse ka ecur pa probleme dhe se Berisha ka qenë një partner korrekt. Gjithçka shkon mirë, pra, nën çadrën e qeverisjes.

    Kjo forcë politike, domethënë LSI-ja, ka premtuar se do ta ndajë dilemën e saj, në lidhje me aleancat zgjedhore, gjatë muajit prill. Pra, vetëm dy muaj pasi të jetë sosur mandati formal i koalicionit ku LSI bën pjesë me të drejta dhe përfitime të plota, që vijojnë sot e gjithë ditën. Torta e 20 përqindëshit nuk ka mbaruar akoma dhe partia e Metës po tregohet e zellshme për të konsumuar edhe thërrimet e saj të fundit. Futjet me lista në punë, premtimet gjithfarësh që rrjedhin nga pjesëmarrja në qeveri, përfitimet financiare që burojnë nga të gjitha poret e shtetit, kanë bërë që LSI t’i rezistojë tundimeve jo të pakta për ta prerë litarin e aleancës me PD e lodhur e të konsumuar, për të ndërtuar një imazh të rrejshëm të një gjoja-shkëputjeje, e cila vetëm e tillë nuk është.

    Pasi premtoi 100 mijë vende pune gjatë mandatit të bashkëqeverisjes, Ilir Meta i është rikthyer tani (së bashku me Berishën, çfarë koincidence), tezës së punësimit. Po krijohet përshtypja se partitë e qeverisë po e kthejnë veten në zyra të vërteta pune, ku paraqitesh, merr angazhim për të votuar për to në 23 qershor dhe si shpërblim, futesh diku në punë.

    Nga ana tjetër, në rrafshin e taktikës elektorale, LSI ka deklaruar se është në bisedime për një pol të tretë zgjedhor, ku do të bënin pjesë PBDNJ e ndoshta edhe FRD. Një lëvizje, e cila për kushtet, momentin dhe mënyrën sesi po formësohet, duket më tepër një dredhi e vogël e çiftit Berisha-Meta, sesa si fundi i natyrshëm i pakthyeshëm i një bashkëpunimi katërvjeçar.

    Në të gjithë këtë dinamikë ngjarjesh, LSI është brenda lëkurës së vet politike. Ajo ka të drejtën ta konsumojë sipas dëshirës së vet peshën, imazhin dhe mandatin që ka nga zgjedhësit që e kanë votuar. Pyetja e vërtetë në këto kushte nuk shtrohet për të, por për opozitën e majtë. Ose më saktë për PS dhe kreun e saj Rama, të cilët vijojnë formalisht të presin një përgjigje nga Ilir Meta, për një bashkëpunim eventual para 23 qershorit. Përtej elementëve të mësipërm, përtej faktit që vetë LSI ka deklaruar se do të angazhohet për një formacion alternativ ndaj partive të mëdha, marrëdhëniet aktuale mes PS e LSI mund të jenë gjithçka, përveçse parathënia e një koalicioni elektoral parazgjedhor.

    Ka ardhur koha që PS ta vendosë shpirtin në paqe, që me Metën nuk do të ketë shtrëngim duarsh para zgjedhjeve. Se ç’do të ndodhë pas 23 qershorit, kjo është një çeshtje krejt tjetër. Por tani hapësira duket inegzistente dhe iluzioni i një bashkimi bëhet përherë e më i zbehtë. Ilir Meta nuk do të po jep shenja se është pro rotacionit politik më 23 qershor. Ka gjithë të drejtën morale dhe materiale, të ndjehet mirë me qeverisjen aktuale, për të cilën ka edhe vetë një barrë të madhe përgjegjësie. Po socialistët pse s’duan ta kuptojnë ende këtë?!  /JAVA/

  •  

     

    Të qeverisësh, thoshte Makiaveli, do të thotë t’i bësh të tjerët të besojnë ato që thua. Një aksiomë që në Shqipërinë e sotme, më saktë në qeverinë e saj të sotme, apo më saktë akoma në krye të saj, duket se e mbajnë të qepur në xhepin e kostumit. Kryeministri Sali Berisha turbulloi ujërat para pak ditësh, duke hedhur një ide nga ato që nuk kanë asnjë shans të rezultojnë fituese, por që gjithsesi zhurmën e bëjnë si të jenë vërtet të tilla. Për 48 orë rresht të gjithë u morën me atë që opozita e quajti jo pa realizëm “shashkën e 16-vjeçarëve”. Një gjetje “last minute” (e minutës së fundit), që kreu i qeverisë i ka për zemër dhe që zakonisht i kumton me një nënqeshje ironike në fytyrë, e cila tregon se vetë ai i pari nuk e beson atë që thotë.

    Propozimi për votën e 16-vjeçarëve, i vonuar dhe i sforcuar siç qe, u përdor megjithatë nga Berisha për t’i dhënë moshës së tij të tretë biologjike dhe politike, një erë freskie dhe dinamizmi. Të paktën ky ishte plani. Ashtu siç u përdor për një dozë patriotizmi elektoral, muaj më parë, në Vlorë, mu në dhomën ku dikur mbante mbledhjet Ismail Qemali, ideja për t’i pajisur me pasaporta shqiptare disa milionë bashkatdhetarë që jetojnë rrotull kufijve shtetërorë të shtetit amë. Asokohe, me solemnitetin që vetëm Berisha di të prodhojë, ai u dha porosi ministrave kokulur që mbanin shënime, që projektligji i nënshtetësisë të shkonte në Parlament “brenda javës”.

    E tepërt të kujtosh se çfarë ndodhi me atë propozim. Pasi s’ka asgjë për të kujtuar. Projekti u harrua, jo vetëm sepse perëndimorët ngrysën vetullat, por edhe sepse kishte ardhur koha e blofit tjetër. Në një frekuencë kohore të shkurtër, Sali Berisha shfaqet herë duke prezantuar projekte disamiliardëshe në bujqësi, herë duke komentuar kaskada hidrocentralesh që janë ende në letër (në rastin më të mirë), herë duke numëruar miliona rrënjë ullinjsh imagjinarë dhe natyrisht, duke i shtuar mijërat e kilometrave të rrugëve të ndërtuara, nga një muaj në tjetrin. Për të mos harruar kapitullin e përjetshëm dhe të palëvizshëm, atë me titull “çfarë ndodhi sot në Partinë Socialiste”.

    Në artikulimin politik të Sali Berishës ndërthuren prej vitesh improvizimi, driblimi i kundërshtarit, aludimet e nëntekstet e pafund, provokacioni, loja e diversivave dhe natyrisht blofi i kudondodhur. Prej kohësh që s’mbahen mend, ai është politikani që mund të thotë të pavërtetën më të madhe, me tonin më solemn të imagjinueshëm. Gjërat më të pamundura ai i ka thënë ndaj atyre që sot ka në krah, akuzat më të përbindshme i ka bërë ndaj personave që sot i shërbejnë nga mëngjesi në darkë, mallkimet më të frikshme i ka hedhur ndaj miqve, ashtu siç ka bërë lavde pafund për të tjerë që sot i anatemon pa pushim. Paqëndrueshmëria, një cilësi gjithëpërfshirëse në zanatin e politikanit të sotëm, kthehet te Berisha në një tipar themelor të lidershipit të tij. Sa herë që ai thotë “unë ju garantoj ju”, është mirë të ngulitësh mirë në mendje argumentin në fjalë, pasi do të ndodhë pikërisht e kundërta e asaj që Berisha premton. Në dy dekada të kaluara mbi shpinën e kalit të pushtetit, Sali Berisha është udhëheqësi politik që më së shumti është përballur me ato që ka thënë dhe ka mbrojtur në momente të shkuara të karrierës së tij. E shau dhe e anatemoi Fatos Nanon, edhe pasi e kishte futur në burg, e sulmoi Ilir Metën me fjalët më të rënda sa kohë ishin në dy llogore të ndryshme. Shikoni sesi i përdor që të dy sot, si hipotekën e pushtetit të tij. Se mos vetëm ata. Lista është e gjatë, si në korsinë e ish-miqve, edhe në atë të ish-armiqve.

    Blofi i fundit me votimin e 16-vjeçarëve me siguri do të pasohet nga të tjerë në javët e ardhshme. Berisha bëhet veçanërisht prodhimtar në kohë fushatash, duke ia hequr çdo limit fantazisë së tij politike. Teksa ndien konsumin e rrezikshëm prej pushtetit tetëvjeçar, ai nuk e ka asfare të vështirë që t’i jepet me gjithë energjinë e tij të pashtershme, artit të zgjerimit të universit të tij paralel. Të asaj hapësire virtuale, plot shqiptarë të buzëqeshur e rrugë të shtruara me asfalt të zi e vija të bardha, ku ai jeton gjithë ditën i mbyllur, edhe ndërsa komunikon pa pushim me shqiptarët që nuk dinë sesi do ta nxjerrin fundin e muajit.

    Pa e fryrë apo tepruar, artikulimi publik i Sali Berishës ka qenë një ndër problemet kryesore të tranzicionit njëzetvjeçar. Nga podiumi i Parlamentit, tribunat e mitingjeve apo formatet e tjera publike, ai ka injektuar rregullisht në jetën politike e sociale të Shqipërisë, tharmin e sherrit, akuzës ekstreme, sharjeve e fyerjeve gjithfarësh, që janë struktura bazë e kulturës së urrejtjes që ai predikon që ditën e parë që ka hyrë në politikën aktive.

    Është bërë shumë e vështirë ta besosh Kryeministrin e këtij vendi. Por më e vështirë akoma është që ai vetë të konceptojë një sjellje tjetër nga kjo që shohim. Megjithëse përdor “Blackberry”, “Ipad” dhe ka hapur adresë personale në “Facebook”, Sali Berisha po i drejtohet një kohe në karrierën e tij politike, ku ndryshimi dhe modifikimi i sjelljes është një tabu e pakalueshme. Në pritje të blofit të radhës, ai mbetet ky që është sot e gjithë ditën: politikani më i paparashikueshëm i llojit të tij në Shqipëri.

    MAPO

     

  • Baret në Tiranë kanë nisur të vendosin sërish hapur, pa merakun e dikurshëm formal, tavllat e duhanit. Tani nuk ka më nevojë të pyesësh kamerierin nëse lejohet të pihet ndonjë cigare fshehurazi. Thjesht mund ta nxjerrësh paketën dhe ta ndezësh cigaren e radhës pa u preokupuar fare. Askush nuk do të vijë të të kapë për xhakete. Ligji për duhanin është në fuqi, por ai shkelet hapur, në mes të kryeqytetit. Për pjesën tjetër të territorit, si zakonisht, s’ia vlen të vrasësh mendjen. Andej ka qenë dhe është tokë e askujt.

    Ky detaj në dukje anësor, është në fakt një ndër sinjalet e alarmit për një fenomen tejet më të madh e përfshirës. Qeverisja në Shqipëri ka hyrë në një fazë ku e ka të vështirë të pulsojë, të reagojë ndaj së keqes. Vidhen afresket nëpër kishat e vjetra, shteti thotë se nuk mund të vendosë nga një polic pranë çdo monumenti, rrezikon të bjerë mozaiku i Muzeut Kombëtar në qendër të Tiranës, sërish përgjigjja është e njëjta: s’kemi ç’bëjmë. Më tej akoma, vriten pafund shqiptarë e shqiptare nëpër rrugët e qyteteve e fshatrave, qeveria numëron të vrarët dhe ngre supet, shpërndahen diploma false që plasin si skandale edhe në shtypin e huaj, universitetet në fjalë vijojnë të qeta punën, grabiten edhe shinat e trenit për skrap, prapë nuk përgjigjet askush, plas korrupsioni në mes të ditës në të gjitha poret e shtetit, asnjeri nuk mban përgjegjësi, shiten hormone të ndaluara që e kthejnë mishin e qumështin shqiptar në bartës potencialë të sëmundjeve kancerogjene, institucionet e shtetit fshehin kokën si struci dhe ankohen, pasi Kosova “po na bën konkurrencë”.

    Komisioneri europian, Fyle, tha para tri ditësh, se mbajtja e një referendumi për tri ligjet e paaprovuara, shkon kundër skenarit që kishin ofruar vendet anëtare, për të gjetur zgjidhje kompromisi e për të shmangur tensionet politike. Para tij, ambasada amerikane ishte shprehur e tronditur, sesi mund të jepej pafajësi për persona me pushtet, për të cilët kërkoheshin 48 vjet burg nga prokuroria. Që të dy, edhe Brukseli, edhe Uashingtoni, mësuan e po mësojnë përditë se çfarë do të thotë të kesh të bësh me një qeveri që nuk është e aftë të reagojë për zullumet që shkakton rrugës.

    Papërgjegjshmëria është një simptomë e rregullt e qeverisjeve që ndodhen në kurbën rënëse dhe që s’kanë më për t’u thënë ndonjë gjë shtetasve të tyre. E kemi parë këtë fenomen në mesin e viteve 2000, kur socialistët e lodhur e të përçarë, si në fabulën e ujkut me gomarin, kujtonin se ishin në një ëndërr të keqe dhe se nuk do t’i humbnin zgjedhjet e radhës. I humbën edhe zgjedhjet, edhe përkrahjen popullore, sepse nuk patën fuqinë dhe kurajën që të luftojnë të keqen që i kishte mbështjellë. Një panoramë identike po na shpaloset sot para syve. Qeveria aktuale po na tregon përditë se nuk ka fuqi as ta shohë, as të dëgjojë dhe aq më pak ta luftojë të keqen që e ka kapur atë dhe vendin për fyti.

    Katër zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit u shfaqën në foto, teksa pinin raki e hanin turshi me një person të cilin aktualisht e akuzojnë edhe ata vetë, si autorin e vrasjes së një kolegu të tyre. Që të gjithë dolën me vrap në media dhe dhanë variante të ndryshme për momentin e fotove dhe arsyen e prezencës së atij personi në tryezë. Vetë personi i akuzuar i përgënjeshtroi të gjithë, kur tha se nuk ishte rastësisht në atë tavolinë dhe se i kishte miq zyrtarët në fjalë. Pak orë më vonë, ministri i brendshëm doli e hodhi akuza të rënda për deputetë të opozitës, përfshirë aludimet për sëmundje të rënda ngjitëse si AIDS(!), por ç’është më skandalozja, zbuloi indirekt se opozita përgjohet e ndiqet gjatë gjithë ditës. Akrobacitë e Flamur Nokës ishin jo vetëm vështirësia e një zyrtari në hall, por edhe prova e radhës, se shteti ka humbur sensin e masës dhe të orientimit.

    Kësaj qeverie nuk i ka mbetur gjë tjetër, veçse të bëjë atë që në fakt Berisha e ka bërë që nga dita e parë që është ulur në poltronin e Kryeministrit: të merret me opozitën. Opozita e opozitës është faktikisht një fenomen mjaft i përhapur, si në jetën politike, ashtu edhe në atë mediatike. Përkundër sloganit “Fajin e ka Saliu” (që do të kishte kuptim në një masë të konsiderueshme të rasteve), dëgjohet dendur prej vitesh edhe slogani “Fajin e ka Rama”. A thua se pozita dhe opozita janë dy realitete identike, që i dallojnë vetëm disa detaje të parëndësishme.

    Në këta muaj kotësie qeveritare, kur shifrat nuk përputhen, kur kriza rëndon mbi financat e xhepat e shqiptarëve dhe kur imazhi i qeverisjes vlen sa një shami e përdorur, ashpërsimi fals i luftës me opozitën po rezulton si e vetmja “gjetje” për qeverinë tetëvjeçare, që sot s’ka ç’t’i ofrojë më askujt. Përveç ministrave dhe zyrtarëve të lartë të saj, që në këto dy mandate shtuan vilat dhe majmën kontot bankare.

    SHQIP

  • Tallja kilometrike me viktimat e Gërdecit apo arroganca e muskujve të Gardës në procesin e 21 janarit, janë që të dyja pasojë e servilizmit të pështirë të një sistemi totalisht të korrptuar drejtësie, që po shokon shqiptarë e të huaj

     

    Foli drejtësia edhe për Gërdecin. Ashtu siç kishte folur edhe për 21 janarin. E njëjta linjë, e njëjta logjikë shkarkuese e fajit kolektiv apo personal, e njëjta shpërfillje për perceptimet, provat, sensibilitetin e një numri shumë të madh shqiptarësh, që kishin pritur një përfundim krejt të ndryshëm të proceseve gjyqësore për këto dy ngjarje të dhimbshme. Edhe një herë tragjeditë e konsumuara në sytë e të gjithëve dhe që kanë marrë jetë njerëzish të pafajshëm, pasi janë futur në epruvetën hileqare të drejtësisë shqiptare, kanë dalë prej andej “të holluara” me ujë, anemike. Të vrarët kanë mbetur, faji dhe përgjegjësitë janë zhdukur.

    Ky është realiteti traumatik që lidhet me një gangrenë të vjetër dhe të re të shoqërisë shqiptare: sistemin e drejtësisë. Në orët pas vendimeve të mësipërme, trupat e gjyqtarëve dhe shoqatat e tyre, kanë pasur kurajon të dalin me reagime publike, ku kanë kërkuar të mos abuzohet me ta dhe me profesionin që bëjnë e vendimet që japin. Në të tjera kushte, krejt të tjera nga këto që kalon sot Shqipëria, ky do të ishte një apel normal dhe i arsyeshëm. Verdikti i drejtësisë nuk duhet gjykuar. Sepse ajo është instanca e fundit, në një shtet të ngritur mbi ligjin, ku peshohen dhe marrin hakun që u takon, të gjitha paudhësitë e ndodhura apo të pretenduara si të tilla. 

    Por fatkeqësisht, për gjyqtarë dhe viktima bashkë, ndodhemi në një botë krejt të ndryshme. Jetojmë në botën e egër, ku vrasja masive e njerëzve konsiderohet me cinizëm “aksident teknologjik”, apo kur marrja e jetës e personave të paarmatosur bëhet pre e shëmtuar e një ping-pongu përgjegjësish, që shpërfill edhe FBI-në amerikane. 

    Drejtësia ka folur për dy ngjarje të rënda, në mënyrën më të papërgjegjshme. Për këtë shkak ajo është një gangrenë dhe jo një garanci për shtetasit e këtij vendi. Tallja kilometrike me viktimat e Gërdecit apo arroganca e muskujve të Gardës në procesin e 21 janarit, janë që të dyja pasojë e servilizmit të pështirë të një sistemi totalisht të korrptuar drejtësie, që po shokon shqiptarë e të huaj. Nuk ka sesi të flasin ndryshe amerikanët për gjyqin e 21 janarit, teksa e shohin veten të tallur publikisht nga tre gjyqtarë anonimë, që s’e kanë asfare për problem, që të hedhin poshtë një ekspertizë hetimore, qoftë edhe kur mban në krye stemën e FBI. Flitet shpesh për tre ligjet fantomatike që na mbajnë larg Europës, por nuk shihet sesa larg standartit të BE jemi thuajse në të gjitha poret e shoqërisë ku jetojmë. Të një shoqërie kur edhe krime si Gërdeci apo 21 janari nuk kanë fat tjetër, veçse atij që patën: që nuk gjetën drejtësi!

     

    JAVA

  • Fjalimi i 25 nëntorit i Kryeministrit Berisha në Shkup ka lënë pas një valë të gjatë sizmike reagimesh. Së fundi edhe Bashkimi Europian po bëhet gati që në konkluzionet e dhjetorit, të përfshijë konceptin e moderimit të gjuhës dhe uljes së toneve nacionaliste nga ana e qeverisë shqiptare. Nëse ky qëndrim do të zyrtarizohet pas pak ditësh nga Brukseli, Shqipëria do të humbë të vetmin atribut të hershëm pozitiv që ka pasur në sytë e ndërkombëtarëve; atë të ndjekjes së një politike të moderuar në rajonin e Ballkanit.

    Por patriotizmi folklorik i qeverisë, në këtë kapërcyell të vitit jubilar të Pavarësisë, nuk stonon vetëm me atë që ka qenë tradicionalisht linja e moderuar e qeverive shqiptare ndaj fqinjëve, por edhe me atë që përfaqëson sot qeverisja e këtij vendi, në raport me rekordet e saj, pikërisht në fushën e politikë së jashtme rajonale.

    Siç është thënë e shkruar gjerësisht, nacionalizmi verbal i ringjallur i Kryeministrit, devijon në mënyrë groteske me atë që ai vetë dhe pas, e gjithë mazhoranca kanë bërë në vitet e fundit në raport me Greqinë, Serbinë dhe të tjerë aktorë rajonalë me të cilët kemi më shumë se një problem të së shkuarës, që mbetet ende i hapur. Kur më pas kalon nga ambiguiteti i linjës diplomatike në momente të ndryshme, te mishmashi i vetë formulës së kabinetit, ndarjes së posteve brenda tij dhe i marrëdhënieve politike e njerëzore të kësaj shumice, kaosi merr përmasat e një pazari të vërtetë “ballkanik”.

    Nuk përbën habi dhe mosbesim, nuk ngjall skepticizëm dhe shpoti vetëm fakti që Berisha i djeshëm që hapte krahun për grekët, ngjan shumë pak me Kryeministrin e sotëm që e sheh kombin shqiptar deri në Prevezë. Nuk qëndron hipokrizia patriotike e kësaj qeverie vetëm në ato që ka thënë në muajin e festave të Pavarësisë e Çlirimit. Karakteri fals i këtij kabineti qëndron më së shumti në mënyrën sesi është mbrujtur, në formulën alkimike të figurave politike që ka në bazë të tij, në formatin e pamundur politiko-etnik që ka marrë përsipër të krijojë.

    Në vitin 2009, Sali Berisha luajti një taktikë të zgjuar ndaj minoritetit grek në Shqipëri, e cila kishte në bazë të saj dy qëllime kryesore. Duke përçarë votat greke në Jug me anë të një kandidature “anti Dule”, pra me Spiro Kserën, ai pakësoi së pari peshën e PBDNJ dhe së dyti, kur vetë Kserës i dha një post të palëvizshëm në kabinet, i dërgoi një mesazh të qartë qeverisë greke, se kjo prani do të ishte afatgjatë dhe se do të përfaqësonte interesat e tyre brenda mazhorancës së ardhshme. Kjo linjë erdhi e u konsolidua me lëvizjet e tjera të qeverisë, që kishin nisur në fakt që në 2005-n, me zbatimin praktikisht të çdo pike të axhendës greke për Shqipërinë, me duart e vetë qeverisë shqiptare.

    Por Berisha nuk u ndal me kaq. Paralelisht me futjen e Kserës në kabinet, ai u kujdes që ndaj partisë së sapoformuar çame, PDIU, të ndiqte një profil të ulët bashkëpunimi. I ftoi si aleatë në qeveri, por praktikisht u dha e vazhdon t’u japë poste të rangut të dytë dhe të tretë. Një denigrim jo fort i kamufluar dhe aspak elegant, më shumë sesa një partneritet serioz. I justifikuar i gjithi me trysninë që pala greke bën, për të mos i parë kurrsesi të përfshirë në qeverisje çamët. Nëse nga njëra anë, për Berishën përbënte një sukses mbajtja nën një çati e dy frymëzimeve krejt të kundërta e përjashtuese, siç janë grekët dhe çamët, nga ana tjetër nga kjo taktikë hileqare fitoi vetëm njëra palë. Domethënë pala greke.

    Ky trekëndësh virtual Berisha-Ksera-Idrizi, është sot, edhe pas zhvillimeve më të fundit, dëshmia më e prekshme e absurditetit dhe hipokrizisë mbi të cilën është ndërtuar qeveria “Berisha”. Në hapësirën virtuale të këtij trekëndëshi, lëvizin sot “krah më krah” aspiratat e ligjshme të një partie si PDIU për të miratuar një rezolutë çame në Kuvend, me takimet e ministrit Ksera me deputetët e “Agimit të Artë”, përfshirë deklarime të tipit “unë luftoj prej vitesh për Vorio-Epirin”, pa harruar kurrsesi edhe qëndrimet kamaleonike të Kryeministrit për marrëveshjen detare nga njëra anë, por edhe për Prevezën shqiptare nga ana tjetër. Nuk ka zot që i mban të lidhura këto interesa krejtësisht përjashtuese mes tyre, përveçse një arsyeje madhore: dëshira për të qëndruar në pushtet.

    Në fund këtij mandati, sërish në emër të qëndrimit në pushtet, qeveria shqiptare me shefin e saj në krye, po pranojnë të bëjnë gjithfarë akrobacish, të bëjnë një sy qorr për “Agimin e Artë” në Jug apo priftërinjtë malazezë në Veri, që vjellin vrer për shqiptarët. E në të njëjtën kohë, të përbetohen se amanetin e Qemalit, Boletinit e gjithë patriotëve e nacionalistëve të tjerë, e kanë Bibël e Kuran bashkë. Kësisoj i shohim të gjithë të ulur në tryezën e madhe të pushtetit, armiq mes tyre, por “partnerë” në aventurën qeveritare. Kjo është qeveria që kemi. Pa formë si një amebë, laramane dhe e përdredhshme si një kulpër, e paqëndrueshme dhe tekanjoze si moti i këtyre ditëve.

    Marrë nga Gazeta Shqip

  •  

    I dhamë dorën (duart, në fakt) dhe iu rikthyem zakonit. Një sjellje tipike shqiptare. Vetëm pak orë pasi sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton u ngjit në avionin e saj në Rinas, me premtimet e radhës në xhep, për bashkëpunim, tone të ulura dhe moderim, Kryeministri shqiptar doli para mediave për të na kujtuar se nuk ka mediator, sado i lartë, që i pajton shqiptarët. Sikur të mos kishte qenë pas shpinës së zyrtares së lartë amerikane, teksa ajo i drejtohej Kuvendit, Berisha deklaroi dje në thelb se opozita duhej të dëgjonte këshillat e Klintonit dhe…të votonte tri ligjet e mbetura pezull.

     

    Asnjë fjalë për pjesën e tij të përgjegjësisë, asnjë sinjal apo mesazh shtensionimi me opozitën, asnjë milimetër spostim nga pozicionet e njohura prej disa javësh. Në harkun e 24 orëve, Sali Berisha provoi se nuk jepet as para presionit të drejtpërdrejtë të shtetit më të fuqishëm në botë. Një rikthim i vërtetë në të shkuarën ky fakt, që s’mund të jetë veçse një prelud i zymtë i asaj që vjen më pas.

    E ka ditur këtë edhe vetë Hillari Klinton, teksa zbriste në kryeqytetin shqiptar. Njoftimi zyrtar i Departamentit të Shtetit për vizitën, Protokolli i qëndrimit në Shqipëri, mungesa e konferencës së përbashkët të shtypit (Dacic dhe Thaçi patën trajtim më të mirë se Berisha), fakti që nuk u mbajt një drekë zyrtare (megjithëse oraret e vizitës e sugjeronin diçka të tillë), ftesat në Kuvend për një tufë “armiqsh” të qeverisë nga ana e ambasadës amerikane, takimi kokë më kokë me Edi Ramën (që liderët opozitarë të rajonit nuk e morën) – të gjitha këto e klasifikonin misionin diplomatik të Hillari Klintonit në Shqipëri, si një vizitë ku të gjithë elementet formalë dhe substancialë, ishin gërshetuar me një përkujdesje milimetrike. Me qëllimin e vetëm: të mos i jepet shkas qeverisë që ta përdorë vizitën si një spot elektoral banal, apo si një qokë të rëndomtë që i shërben propagandës zyrtare.
    E kur anës protokollare i bashkon fjalimin që sekretarja Klinton mbajti në Parlament, mund ta lexosh pa shumë vështirësi mendimin amerikan mbi atë që ndodh sot në këtë cep të Ballkanit. E fokusuar në mënyrë të studiuar te zgjedhjet, standardi i bashkëpunimit politik dhe korrupsioni, fjala e Klinton në Kuvend ishte një dush i akullt për kulturën politike që demonstron klasa e sotme drejtuese në Shqipëri. Pyetjet therëse që ajo hodhi ndaj politikanëve shqiptarë “A do të luftoni korrupsionin? A do të punoni për të hyrë në BE, si një rrugë për paqe afatgjatë? A do të vazhdoni të jeni një model për rajonin?”, në fakt janë vërejtje direkte dhe tërheqje e fortë veshi për elitën politike shqiptare. Thirrja e saj për përgjegjësinë që duhet të mbajnë përfaqësuesit politikë në rast mospërmbushjeje të premtimeve të tyre, duket gjithashtu e prerë enkas për të vënë në dukje fenomenet e përjetësisë dhe padënueshmërisë, që janë kthyer në mënyrë të vërtetë jetese në Shqipëri.
    Pas komenteve të Hillari Klinton për zgjedhjet, është tashmë edhe formalisht zyrtare se Shqipëria ka një problem të madh me zgjedhjet. Mënyra sesi ajo e parashtroi çështjen e lirisë së votës, përbën një nënvizim me bojë të zezë të kësaj gangrene njëzetvjeçare. Një pozicionim që bie ndesh në mënyrë flagrante me pretendimet e qeverisë se negativiteti i zgjedhjeve është një artific i opozitës për të mbuluar humbjet e saj. Klinton kërkoi me forcë zgjedhje të lira. Nuk është e vështirë të kuptohet se ajo ka ditur si t’ia komunikojë qartë këtë edhe Kryeministrit, çka u kuptua edhe nga humori gri i Berishës në Kuvend, pas takimit me sekretaren e Shtetit.
    Nga ana tjetër, është gjithashtu e vështirë që të mos pranohet se gangrena tjetër, ajo e korrupsionit, ka marrë tashmë përmasa thellësisht preokupuese. Komentet e Klinton zbuluan aksionet e ulëta që Shqipëria ka në Uashington, sa i përket këtij fenomeni. Edhe këtu mbetet të shihet nëse qeveria do të vijojë të thotë se “ka korrupsion, por opozita nxin realitetin”. Fakti është që qëndrimi i Hillari Klinton në këtë pikë, është vetëm një substrakt i dhjetëra raporteve ndërkombëtare të viteve të fundit, të emetuara nga institucionet më të rëndësishme, ku korrupsioni shihet si një dukuri e përhapur në gjerësi dhe në thellësi në indin e shoqërisë shqiptare.
    Së fundi, por jo më i parëndësishëm, mbetet bashkëpunimi politik, burimi i pashtershëm i tensioneve dhe përplasjeve në vend. Gjuha e urrejtjes e politikanëve shqiptarë (e këtu Berisha fiton çdo garë), ka bërë famë në botë, duke zhvlerësuar rregullisht shanset për kompromise, paqe politike dhe frymë konstruktive. Këto janë disa mësime bazë të demokracisë, të cilat Hillari Klinton u përpoq t’ua mësonte shtetarëve që kishte përpara, me anë të shembullit të saj. Për ata që kishin veshë në atë sallë, ajo evokoi rivalitetin me Barak Obamën. Një mësim jete, më shumë sesa një fabul politike.
    Vizita e Hillari Klinton përbën një piketë të rëndësishme, jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe në procesin e ndërmjetësimit ndërkombëtar për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Reagimi i parë i Berishës pas kësaj vizite ishte dëshpërues. U duk si sjellja e një personi që e ka vendosur ç’do të bëjë. Herën e parë, kur pati të bënte me bashkëshortin e zonjës Klinton, kjo sjellje e çoi drejt humbjes. Të shohim si do të shkojnë punët tani, pas 15 vjetëve.

     

     

    *Shqip

  •  

    Imagjinoni për një moment një skenar të tillë: një grusht burrash nisin një grevë urie në një cep të Tiranës. Si në dhjetëra raste të mëparshme në të gjithë Shqipërinë, edhe ata kërkojnë dialog me qeverinë, për disa të drejta ekonomike që u janë shkelur. Nga qeveria vjen përgjigje pozitive. Një zv.ministër i drejtësisë caktohet të marrë kontakt me ta, e më pas nisin një rresht takimesh mes palëve, për të shqyrtuar pretendimet në fjalë. Greva, e cila në ditën e parë të saj është renditur diku nga mesi i edicioneve informative, kalon shpejt te lista e lajmeve të shkurtra, të cilave nuk u hedh sytë askush. Kërkesat mbeten pezull, por qeveria shmang zhurmën dhe ekspozimin mediatik.

    E gjithë sa u supozua më lart, nuk ndodhi, kur 29 ditë më parë një grup të burgosurish të diktaturës shpallën grevën e urisë në rrugën Komuna e Parisit. Ajo që ndodhi është e kundërta. Fillimisht greva u shpërfill, më pas, kur grevistët nisën të vetëdigjen, u rrethua dhe sot është një grevë e “pilotuar” dhe e konturuar brenda hapësirës mikroskopike që kanë lejuar kordonët imponues të policisë. Nga ana tjetër, megjithëse mori një përhapje mediatike spektakolare, e cila u solli edhe në një reagim gjithnjë e më të fuqishëm ndërkombëtar, greva vijon të ndeshë në kokëfortësinë tashmë absurde të qeverisë për të mos negociuar. Qeveria, nga ana e saj, ndeshet sot me një krizë që anën e saj më të rrezikshme e shfaq më shumë së jashtmi. Nuk pati turma mijëshe para çadrave të grevistëve, por pati një listë deklaratash të hidhura nga të huajt brenda e jashtë Shqipërisë, të cilët që të gjithë këshillojnë pikërisht atë që Berisha vijon me kokëfortësi ta mohojë: dialogun me grevistët. Kryeministri i vendit përballet sot me një problem që mund ta evitonte, por që në kushtet aktuale, përkthehet në mënyrë të pashmangshme, si një tjetër provë e politikës së tij të konfliktit dhe si një gur shtesë në kulturën e urrejtjes që ai ka kultivuar tradicionalisht në Shqipëri. Fatura ndërkombëtare e grevës është pika e saj e forcës, në përballjen me shtetin.

    Greva e urisë qe padyshim një faliment në planin e mbështetjes njerëzore. Ashtu siç qe, përkundër, edhe një sukses i dukshëm ndërkombëtar. Nga njëra anë ajo mbeti një bërthamë e kufizuar proteste, të cilën shumëkush e ka ndjekur në distancë, por pa prezencë “në vetë të parë”. Në të kundërt, kjo grevë ka qenë një fitore e hatashme për organizatorët e saj, në planin mediatik dhe atë ndërkombëtar. Nuk është e tepërt të thuhet se ajo shënon në këtë aspekt një shuplakë të hidhur dhe po aq të papritur për qeverinë, nga të gjithë diplomatët kryesorë në Shqipëri, por edhe nga Departamenti i Shtetit. Vështirë se Berisha llogariste para një muaji se do të merrte një “këshillë” për këtë temë nga Riker, kur e priste atë në Tiranë.

    Dhe ka një shpjegim sesi një grevë në thelb jopopullore brenda vendit, mund të marrë kaq shumë vëmendje jashtë vendit. Është pikërisht elementi që Berisha s’e ka llogaritur sa duhet dhe si duhet. Fjala është për kartën morale të atyre burrave të vjetër e të pafuqishëm, që enden nga njëri ekran në tjetrin, duke kërcënuar se do të vdesin në grevë. Qeveria mund të gërmojë sa të dojë nëpër dosjet e vyshkura të komunizmit, për të gjetur ndonjë element komprometues për grevistët, ajo mund t’i arrestojë ata, mund t’i përgojojë në shtypin e vet gjithë ditën, mund t’i rrethojë me policë dhe mund t’u heqë edhe ilaçet e diabetit. E vetmja gjë që s’mund të bëjë, është që t’u imponojë të njëjtin imazh negativ edhe të huajve, të cilët kanë një konsideratë krejt të ndryshme nga gossip-i banal i qeverisë shqiptare, për këtë kategori të vuajtur nën diktaturë.

    Nuk mund të mohohet se mes grevistëve dhe numrit një të qeverisë, ka tashmë në mes një humnerë urrejtjeje të dyanshme. Ky faktor emocional ka qenë madje përcaktues, në “krijimin” thuajse me dhunë të një profili ndërkombëtar të grevës së urisë. Në vendin tonë ka pasur qindra greva urie në 22 vjetët e fundit, edhe për arsyet më banale. Formati ndërkombëtar i kësaj greve, është dhurata më e mirë që Berisha u bëri atyre burrave, të cilët sot, teksa vuajnë urinë, etjen dhe inatin e shtetit, e dinë se praktikisht e kanë fituar betejën e tyre me qeverinë. Aq e vërtetë është kjo, saqë në mesin e procesit të marrjes së statusit të vendit kandidat, në mes të axhendës së tij të udhëtimeve jashtë vendit, Kryeministrit i duhet të dëgjojë një zë gjithnjë e më të fortë të kancelarive të huaja, në mbështetje të procesit të dialogut me grevistët.

    Mllefi i akumuluar te një segment i të djathtës tradicionale, nuk përmblidhet vetëm nën kulmin e çadrave të grevës së urisë së të përndjekurve politikë. Në tetë vjet PD u “ka dalë fjale” jo vetëm të burgosurve, por edhe pronarëve të vjetër, të cilët shohin sesi vitet ikin, pronat u legalizohen atyre që kanë ndërtuar ilegalisht, kurse qeveria vijon të thotë të njëjtat gjëra. Në fund të mandatit të dytë qeverisës, Partia Demokratike dhe disa aleatë të saj të vegjël (siç është PR), do të kenë një përballje të vështirë me këto kategori sociale, që nuk kanë se ku t’i kërkojnë dhe t’i pretendojnë tjetër, veçse te Berisha, Topalli apo Mediu, të drejtat që u përkasin prej vitesh me ligj. Me sjelljen e tyre ndaj grevës së të burgosurve të Enver Hoxhës, këta shtetarë i kanë shtuar edhe një gur tjetër murit të ndarjes nga ata që i sollën në pushtet me saze dhe vota në vitin 2005.

    gazeta shqip