credins
Data sot është 20-05-2013, ora 04:40

Author Bios

Blogs by this author:

  • Skandalet më të fundit në arsimin e lartë nuk na japin asnjë informacion më tepër se ato që kishim. Nga ana tjetër, internacionalizimi i çështjes provon edhe njëherë paturpësinë e atyre që drejtojnë arsimin shqiptar. Në veçanti, zoti Tafaj nuk na zhgënjen dhe arrin për të disatën herë të bëhet qesharak, kësaj radhe edhe në sy të botës, duke deklaruar se ministria ka ngritur një grup ekspertësh për të verifikuar rastin. Në këtë çështje nuk ka asgjë për të verifikuar ose për të hetuar. Çdo gjë është e qartë si drita e diellit dhe ky zotëri po mundohet të mbulojë diellin me shoshë dhe të vazhdojë të genjejë siç ka bërë deri tani. Të mos harrojmë se ata që firmosin ato diploma janë ata që komisioni i ministrit ose i protezave të tij qeveritare u kanë dhënë titullin me procedura të turpshme dhe të jashtëligjshme. Janë ata "profesorë" që sot nuk turpërojnë veten, sepse u është bërë faqja shollë, por po damkosin një komb të tërë. Pasojat e këtyre diskreditimeve janë të pallogaritshme dhe studentët shqiptarë do i vuajnë për shumë vite të tjera.

    Natyrisht këto janë edhe rastet tipike që përdoren politikisht ose për konjuktura të momentit. Në veçanti, këto ditë janë bërë kërkesa për dorëheqje të zotit Tafaj, kur në fakt ky zotëri ka hequr dorë prej kohësh nga ushtrimi i funksionit të tij. Tanimë nuk mjaftojnë doreheqjet sa për sy e faqe dhe është e domosdoshme që njerëzit të kërkojnë më shumë llogari nga ata që qeverisin. Dorëheqja formale e zotit Tafaj nuk i hyn në punë asnjërit prej nesh. Në fakt ky akt do ishte një shpëtim për të, por edhe një konfirmim i kulturës së pandëshkueshmërisë. Pas tij do vijë një tjetër që do bëjë të njëjtat gjëra, në mos më keq. Po kostot e kësaj papërgjegjshmërie kush i paguan?

    Kjo mungesë llogaridhënie duhet të përfundojë. Zoti Tafaj duhet të deklarohet në dispozicion të organit të prokurorisë dhe të jape llogari për shkatërrimin e arsimit shqiptar, për skandalet që dalin dita ditës si kërpudhat pas shiut, të mbajë përgjegjësinë që i takon në pazaret e titujve, të përgjigjet para ligjit për ndodhitë skandaloze në Universitetin e Vlorës dhe më pas në atë të Durrësit, të përgjigjet për pushimet nga puna të mësuesve dhe për të gjitha ligësitë në kurriz të rinisë shqiptare. Të shpjegojë ky zotëri para organit të prokurorisë se cilat janë lidhjet e tij ose të bashkëpunëtorëve të tij me shitblerjen e diplomave dhe jam i bindur se do zbulohen fakte interesante.

    Megjithë llumin që na sjell para syve, ky është një moment historik për arsimin shqiptar. Zoti Tafaj ka shansin të japë shembullin personal duke mbajtur i pari mbi kurriz kryqin e mëkateve të kësaj politike. Jam i sigurt se nuk do i rëndojë shumë nëse ai do arrijë të kuptojë se "pasioni" i tij mund të jetë fillimi i kthesës së madhe në të mirë të kësaj Shqipërie, që atë kryq po e mban çdo ditë në kurriz. Nëse ai dhe ata që i shkojnë nga pas nuk do mbajnë përgjegjësi ligjore për veprimet, por edhe për mosveprimet e tyre, atëherë çdo gjë tjetër është e kotë dhe do ngelet në kuadrin e diskutimeve në kafene. Në fund të fundit "çudia më e madhe zgjat vetëm tre ditë" dhe politikanët tanë e kanë mësuar mirë këtë shprehje.

  • Para pak ditësh ndoqa rastësisht një kronikë në televizion mbi punimet e komisionit parlamentar të arsimit. Përveç faktit se disa prej anëtarëve të komisionit dukeshin sikur ishin sjellë aty me zor, ajo që më ngacmoi të shkruaj këto dy rreshta është mënyra se si trajtohet nga Ministria e Arsimit, por edhe më gjerë, koncepti i konfliktit të interesit. Mesa
    më kujtohet, atë ditë komisioni po diskutonte mbi tekstin e këshilltarit të kryeministrit. Një rast tjetër i përfolur më pas në shtyp ishte përzgjedhja e librit të një drejtuesi të lartë të partive të koalicionit qeveritar. Nuk është qëllimi im të diskutoj këtu mbi cilësinë e këtyre teksteve. Ajo që dua të diskutoj është se unë dhe ndoshta edhe disa nga lexuesit nuk e kemi shumë të qartë se çfarë kuptojnë qeveritarët tanë, si për shembull Ministri i Arsimit, me termin “konflikt interesi”.

    Konflikti “faktik” i interesit përkufizohet në përgjithësi si një mospërputhje midis detyrave publike dhe interesave private të një zyrtari. Kjo formë e konfliktit të interesit manifestohet më rrallë dhe zyrtarët i ruhen më shumë. Ky variant është ai më i përfoluri nga publiku i gjerë si konflikt interesi dhe shpesh kuptohet si i vetmi i
    këtij lloji. Kjo trajtë e konfliktit të interesit është ajo që mbulon një formë tjetër më të përhapur dhe që natyrisht ka një ndjeshmëri më të vogël në publik, konfliktin e interesit “në dukje”. Në këtë rast, kemi të bëjmë me njerëz të cilët ushtrojnë funksione publike, por interesat e tyre private nuk janë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me fakultetin e tyre vendimmarrës. Në sajë të pozicionit të tyre, këta njerëz  “potencialisht” mund të ndikojnë vendimmarrjen e zyrtarëve të tjerë, vendimmarrje kjo e lidhur ngushtë me interesat private të të parëve. Në këtë këndvështrim ose me këtë përkufizim alternativ, shumë raste do na shfaqeshin tashmë si konflikte interesi të përmasave gjigande. Mesa duket ky variant i konfliktit të interesit nuk perceptohet si ndonjë shqetësim i madh në Shqipërinë tonë. Kjo është edhe arsyeja pse ministri i arsimit dhe disa nga deputetët buzëqeshin me “nonchalance” kur diskutohen gjëra të tilla në komisionin e arsimit.

    Ndoshta është e rëndësishme që të bëhet më e qartë për njerëzit se nuk është nevoja që zyrtarëve t’u kapen lekët në xhep, për të faktuar konfliktin e interesit. Edhe sepse kjo do quhej korrupsion ose abuzim me detyrën. Koncepti i konfliktit të interesit "në dukje" është shumë i thjeshtë: nëse prej opinionit perceptohet se një zyrtar "potencialisht" mund të ndikojë vendimmarrjen për interesa personale, kjo situatë duhet trajtuar automatikisht si konflikt interesi dhe të merren masat përkatëse.

    Ajo për të cilën ne kemi nevojë më shumë se kurrë është eliminimi në maksimum i konflikteve te interesit, sidomos i atyre “në dukje”. Kjo është e rëndësishme për të rifituar besueshmërinë e humbur gjatë këtyre viteve qeverisjesh të mbrapshta.

  • Dalja juaj më e fundit në publik, zoti ministër, më ngacmon të hedh në letër dy mendime. Lexoj në komunikatat e ministrisë se ju qenkeni investuar personalisht për të bërë prezantimin e disa drejtuesve të ricikluar në universitete. A është vallë detyrë funksionale e ministrit të bëjë prezantimin e rektorëve dhe të zgjedhurve të tjerë? A nuk duhet të jenë këta të zgjedhurit e rinj të pavarur nga politika?

    Mesa duket ju jeni lodhur nga qëndrimi në karrige dhe keni vendosur të dilni në skenë, por këtë e bëni në mënyrën më të mbrapshtë të mundshme. Eshtë evidente se ju ka ngelur ora në vitet e komunizmit. Ju vazhdoni të jepni udhëzime dhe mendje për tekstet dhe programet dhe hiqeni sikur jeni shumë i interesuar për arsimin, në një kohë që ligji nuk ju njeh të drejtën të jepni mendje dhe as të influenconi në çështje tekstesh ose në punë të tilla akademike, që duhet të jenë kompetencë eskluzive e universiteteve.

    Lexoj në lajmet më të fundit të ministrisë se Z. Tafaj konsideron si sfidë cilësinë e studimeve në   të tre ciklet. Kjo për ju do ngelet vetëm një sfidë zoti ministër. Rezultatet e vlerësimeve të fundit tregojnë se universitetet shqiptare po shkojnë gjithnjë e më keq. Ata inxhinierë, që ju bëni sikur i pretendoni, nuk mund të dalin nëqoftëse në universitetet shqiptare futen studentë me pesa. Ato turma, zoti ministër, do futen "shul" e do dalin "lloz". Jam i bindur se nuk e vrisni mendjen shumë, por mos gënjeni popullin duke deklaruar se prisni të dalin inxhinierë, mjekë dhe shkencëtarë që të konkurrojnë me bashkëmoshatarët e tyre në botë, në një kohë kur mendimi i shumë drejtuesve në universitete është se këta të diplomuar u rrezikojnë vendet e punës. Do më ngelet gjithmonë në mendje një nga turpet e rektorit aktual të Universitetit të Vlorës, që me sinqeritet pohonte se nëqoftëse studentët diplomohen, pastaj do vijnë të na kërkojnë edhe punë. Ja ky është mentaliteti i disa prej atyre që ju zgjodhët në krye të universiteteve dhe që tani po i bekoni.

    Midis të tjerash, dëgjoj se ju akoma vazhdoni me përrallat e Brain Gain, Ekselencë dhe parrulla si këto. Këtyre parrullave u ka dalë boja zoti ministër. Duhet të gjeni disa të tjera. Duke qenë se ju dhe zv/ministrat tuaj e keni për zemër ndonjë nga vendet fqinjë, pyesni njëherë për kuriozitet se si paguhen atje pedagogët e huaj. Pyesni njëherë homologët tuaj atje se çfarë kushtesh u ofrohen në universitetet publike atyre që ju pretendoni t'i merrni nga jashtë. Aty mund të kuptoni se parullat tuaja janë vetëm fjalë boshe.

    Një tjetër propozim i juaji në daljet publike është përfshirja e profesorëve të huaj në mësimdhënie, por edhe e profesorëve shqiptarë në universitete të huaja.

    Zoti ministër, ata të cilëve ju u keni dhënë titullin në Shqipëri me të famshmin Komision që drejtohet nga njerëz pa titull, nuk shkojnë dot në universitete të huaja, sepse nuk i pranon kush. Mbi të gjitha, këto janë arritje personale të secilit dhe nuk mund të bëhen me urdhër të peshkut. Aq më keq nëse ju mendoni se mund të vijnë profesorë të huaj në Shqipëri. Disa nga këta drejtues, që ju po i servirni arsimit shqiptar, nuk duan njerëz që kanë mbaruar jashtë. Nuk i duan sepse ndihen të rrezikuar. Nuk i duan afër sepse u dalin sheshit lakrat që kanë në tru. Për të ditur se si trajtohen pedagogët e huaj në këtë vendin tonë të përbashkët, zbrisni njëherë në Vlorë dhe pyesni rektorin se çfarë u bë me ata pedagogë që vinin në Vlorë dikur si të ftuar. Jam i sigurt se do të kuptoni që mesazhet tuaja aty transmetohen me zhurmë. Edhe për këto gjëra, midis shumë të tjerash, Universitetin e Vlorës mund ta konsideroni sot si një nga faktet me kokëfortë të dështimit tuaj politik.

    Zoti ministër, mos u tregoni cinik në paaftësinë tuaj për të ndikuar pozitivisht në arsimin shqiptar. Do ju ftoja të largoheni sa më shpejt nga qeveria. Meqë në daljet tuaja publike shpreheni shumë i interesuar për të forcuar kërkimin shkencor, jepni shembullin personal. Në këtë mënyrë ndoshta mund të shpëtoni shpirtin tuaj, që për  shumë kohë do endet në kërkim të prehjes, pas mëkateve që ju i keni bërë rinisë shqiptare. Zgjohuni zoti ministër dhe veproni ashtu siç duhet, sepse hijet e mëkateve tuaja do ju ndjekin kudo dhe nuk do ju lenë të qetë.

    Për të gjitha këto, kini guximin të më kundërshtoni zoti ministër. Nëse keni ndonjë gjë për të thënë, mos e mbani brenda. Në fund të fundit, bota kështu ka ecur përpara, me debate dhe me mosmarrëveshje. Nëse nuk keni gjë për të thënë, ju konfirmoni bindjen time se afati juaj si ministër ka skaduar prej kohësh, por mesa duket nuk ju ka ardhur radha për përcjelljen e fundit.

    Në apelin tim për lustracion, zoti ministër, unë u lutem publikisht edhe atyre studentëve, që prej kohësh nuk po marrin përgjigje për kërkesat e tyre. Me këtë letër u kërkoj t'ju japin një dorë tani që jeni buzë greminës, së bashku me shpurrën tuaj të zv/ministrave dhe rektorëve. Eshtë një e keqe e domosdoshme dhe studentët duhet të jenë të sigurt se, kur ju zoti ministër, dhe gjithë ata që ju mbajnë ison, rrezikoni karrigen dhe interesat tuaja, bëheni më të arsyeshëm. Ju të dashur studentë keni shumë për të fituar, prandaj merrni në dorë fatin tuaj dhe pastroni plehrat që ndotin çdo ditë e më keq arsimimin dhe të ardhmen tuaj.