credins
Data sot është 23-05-2013, ora 11:09

Author Bios

Blogs by this author:

  • Agron Tufa: TVSH, më duket e balancuar!

    Për çështjen në fjalë, më vjen keq të të zhgënjej, sepse nuk dëshiroj t'i përsëris nga e para gjërat që kam thënë e stërthënë në intervistat e fundit , në Komision Parlamentar të Mediave, në prani të gazetarëve etj., etj. Por edhe për arsyen se:

    1. Këshilli Drejtues i RTSH-së mblidhet një herë në muaj, dhe nuk jemi ne që bëjmë jetën e përditshme të institucionit. Këto gjëra jua jep me hollësitë e duhura Drejtori i Përgjithshëm.

    2. Unë, që prej gushtit pres zëvendësimin dhe e konsideroj të mbaruar mandatin tim.

    3. KKRT bën monitorime në tym, aspak të besueshme, dhe nuk vë në dijeni RTSH-në për monitorimet gjoja të kryera, që për mua janë si fatura e dritave afrofe.

    4. Në kohën e partive politike fusin kohën e qeverisë, që prodhon përditë lajm, ndërsa në ligj bëhet fjalë vetëm për partitë. Futja e aktiviteteve qeveritare, ministra, kryeministra, takime të qeverisë, nuk duhet të llogariten si kohë politike, sepse nuk e ka në ligj. Gjejeni ligjin dhe konsultohuni nëse nuk është kështu.

    5. TVSH ka përqindjen më të vogël të animit politik (dhe vetëm në edicion lajmesh bëhet fjalë, i cili zë 3% të programeve të përgjithshme të RTSH). RTSH-ja ka animin më të vogël politik, krahasuar me Sodomën e Gomorën e anësisë e mercenarizmit politik të TV Klan, Top Channel, Vizion plus, ABC neës, Neës 24 etj. Pa krahasime të tilla nuk ka vlerë gjykimi i RTSH-së.

    6. Puna e KD RTSH, edhe pse nuk ia ka dalë të zhdukë vesin e vjetër të animit, e ka zvogëluar disi. Më shumë se kaq është e pamundur.

    7. Shifrat e reklamuara nga KKRT janë kryekëput gënjeshtra dhe unë i kam hedhur poshtë, pasi nuk kanë asnjë hollësi se si, kur, kush dhe në ç'kriter janë mbështetur monitorimet që ata pretendojnë.

    Kam interesa krejt të tjera. Më shumë se kaq nuk mundem. Për më gjerë, drejtohuni tek Drejtori i RTSH-së.

     

     

    Lutfi Dervishi: E balancuar? Përfaqësuese? Profesionale?

    Këto tre pyetje janë thelbi i një televizioni publik. Dhe besoj se pyetja është për lajmet! Mjerisht, TVSH nuk i jep përgjigje pozitive asnjë prej pyetjeve tuaja. Përkundrazi. Është modeli i mirë se si nuk duhet të jetë një televizion (aq më tepër publik). Është modeli që e ka lënë pas edhe bota arabe (televizioni i qilimit të kuq të "lajmeve" të tipit: me kë u takua filani dhe kush e priti filanen"). Pas daljes së Al Xhazirës, dhe televizioni i botës arabe ia ka lënë historisë këto "lajme".

    Ka një mungesë dëshire për të bërë lajme për publikun. Sepse, edhe kur dëgjoj deputetë të nderuar të Kuvendit, kërkojnë llogari për mungesë balance, dhe me këtë kuptojnë se, nëse qeveria dhe kryeministri, ta zëmë, kanë dalë 100 orë në TV, - për t'u balancuar do të duhet të ketë 100 orë opozita!

    Koncepti është i gabuar... d.m.th. hajde të balancojmë propagandën!

    Një televizion për publikun do të thotë që drejtuesit e tij, redaktorët të përcaktojnë se çfarë informacioni është lajm ose jo vetëm në bazë të ndërgjegjes së tyre profesionale! Një televizion për publikun do të thotë që kamera të jetë drejtuar nga salla dhe jo gjithë kohën nga skena.

    Si traditë vijmë nga shoqëria e propagandës dhe thashethemit dhe jo e lajmeve dhe informacionit. Kjo inerci është e pranishme sot e gjithë ditën. Studentët e gazetarisë e kanë shumë të qartë se çfarë kriteresh ka një informacion për t'u quajtur lajm. Lajmi për TVSH-në është se nuk transmeton lajme, ajo pasqyron aktivitete, kryeministrin, qeverinë,  opozitën (në përmasa liliputiane), është pasqyrë, ku sheh atë që dëshiron politika, por nuk është filtër që t'i japë publikut "produkte" të kontrolluara! Të kërkosh "produkte cilësore", sot për sot, më duket po aq realiste sa përpjekja e dikurshme për të rritur banane në Sarandë!...

    Marrë nga Java